Chrysler tërheq mbi 320,000 automjete hibride Jeep për shkak të një defekti në bateri që mund të shkaktojë zjarr, njoftojnë autoritetet amerikane të sigurisë rrugore.
Kompania Chrysler, e cila zotërohet nga prodhuesi me bazë në Holandë Stellantis, ka raportuar 19 raste dhe një person të lënduar që mund të lidhen me këtë problem.
Automjetet e përfshira në tërheqje përfshijnë 228,221 Jeep Wrangler të prodhuara ndërmjet viteve 2020–2025 dhe 91,844 Jeep Grand Cherokee të prodhuara ndërmjet 2022–2026.
Pronarit të këtyre automjeteve u është kërkuar që t’i parkojnë jashtë dhe larg ndërtesave, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të defektit. Po ashtu, nuk duhet të i karikojnë automjetet e tyre, theksoi Administrata Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada (NHTSA).
Sipas njoftimit zyrtar, njoftimet paraprake me postë pritet të dërgohen tek pronarët deri më 2 dhjetor 2025, ndërsa njoftime shtesë do të pasojnë sapo të jetë gati zgjidhja përfundimtare.
Numri i fushatës së tërheqjes është 68C, dhe pronarët e automjeteve mund të kontaktojnë shërbimin e klientit të Chrysler në numrin 800-853-1403.
Numrat e identifikimit të automjeteve (VIN) që përfshihen në këtë tërheqje do të jenë të kërkueshëm në faqen NHTSA.gov duke filluar nga 6 nëntori 2025.
Sipas Administratës Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada (NHTSA), edhe automjetet që janë tërhequr më parë për të njëjtin problem do të duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjes së re, pasi kjo përfshin një zgjidhje të përmirësuar.
Bateritë e defektuara janë prodhuar nga kompania Samsung SDI America, me seli në Auburn Hills, Michigan.



























