Aktori Elvis Pupa dhe bashkëshortja Belina nën hetim në Australi për kultivim kanabisi
Çështja lidhet me 43 bimë të zbuluara në një pronë në emër të Belinës, e cila pretendon se kishte dhënë pronën me qira.
ADELAIDE, AUSTRALI – Aktori shqiptar Elvis Pupa dhe bashkëshortja e tij, Belina Pupa, influencere dhe terapiste me një ndjekje të gjerë në rrjetet sociale, janë akuzuar formalisht në Australi për kultivim të kanabisit dhe ndërhyrje ilegale në rrjetin elektrik. Sipas autoriteteve australiane, në një pronë në Ascot Park, e regjistruar me emrin e Belinës, janë zbuluar 43 bimë kanabisi gjatë një operacioni policior në prill 2025.
Akuzat dhe procedurat ligjore
Belina Pupa u paraqit të martën para Gjykatës së Magjistraturës në Adelaide, ku nuk deklaroi as pranim as mohim për fajin. Prokuroria theksoi se çështja është “me rëndësi serioze”, duke shtuar se partneri i saj, Vis Pupa, tjetër i akuzuar në këtë rast, është në arrati dhe po kërkohet aktivisht nga policia.
Në dokumentet gjyqësore thuhet se ngjarja ka ndodhur midis 1 janarit dhe 4 prillit 2025. Prona në fjalë, sipas Belinës, ishte dhënë me qira, megjithëse mbetet në emrin e saj. “Gjykata do të vlerësojë provat. Unë nuk kam komentim derisa procesi të përfundojë,” deklaroi ajo për zerishqiptar.com.
Mbrojtja kërkon leje për të udhëtuar në Shqipëri
Avokati i Belinës kërkoi ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht, duke argumentuar se klientët e saj ndërkombëtarë – në Shqipëri, SHBA dhe Australi – kërkojnë praninë e saj për punë. “Ajo është pjesë e një projekti televiziv në Shqipëri dhe ka detyrime profesionale”, u tha në gjykratë. Prokuroria, megjithatë, kundërshtoi, duke e quajtur kërkesën “të papranueshme” për shkak të rrezikut të largimit nga vendi.
Pozicioni i Belinës: “Prona ishte me qira”
Në një deklaratë ekskluzive për zerishqiptar.com, Belina Pupa theksoi:
“Kjo pronë është regjistruar me emrin tim, por unë e kisha dhënë me qira. Hetimet do të tregojnë se unë nuk kam marrë pjesë në aktivitete të paligjshme. Kërkoj respekt për procesin gjyqësor dhe nuk do të komentoj më tej derisa të mbyllet çështja.”
Hapat e ardhshëm
Gjykata pranoi të shtyjë seancën për një javë, duke e lënë Belinën të lirë me kusht. Nëse dënohet, çifti mund të përballet me masa të rrepta penale, duke përfshirë burgim.
Belina Pupa, me mbi 80,000 ndjekës në rrjetet sociale, promovon veten si terapiste alternative dhe influencere jetese. Elvis Pupa, aktor i njohur në Shqipëri dhe diasporë, nuk është komentuar ende publikisht për akuzat.
Ndiqni zhvillimet e reja ekskluzivisht në zerishqiptar.com.