Një variant i ri i koronavirusit, i quajtur NB.1.8.1, ka mbërritur tashmë në Shtetet e Bashkuara. Ky variant, i cili u identifikua për herë të parë në Kinë në janar të këtij viti, përfaqëson aktualisht 10% të sekuencave të SARS-CoV-2 të testuara në mbarë botën, sipas të dhënave të fundit të monitorimit. Katër javë më parë, kjo përqindje ishte vetëm 2.5%, gjë që tregon një rritje të ndjeshme.

Një zëdhënës i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) i tha HuffPost se agjencia është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për të ndjekur aktivitetin e variantit NB.1.8.1. Deri më tani, janë identifikuar vetëm 20 raste me këtë variant në SHBA — çka është nën pragun e nevojshëm që varianti të përfshihet në panelin zyrtar të monitorimit të CDC-së. Sapo përhapja të rritet, varianti do të shfaqet në faqen përkatëse, tha zëdhënësi.
Megjithëse ideja e një varianti të ri është shqetësuese, specialistët e sëmundjeve infektive thonë se simptomat e NB.1.8.1 janë të ngjashme me ato të varianteve të tjera të COVID-it. “Aktualisht, duket se simptomat janë të krahasueshme me ato të varianteve të fundit,” tha Dr. Zachary Hoy, specialist i sëmundjeve infektive pediatrike në Pediatrix Medical Group në Nashville.
Pse po përhapet NB.1.8.1?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), NB.1.8.1 ka disa mutacione të reja në proteinën spike, të cilat mund të rrisin aftësinë e virusit për të hyrë në qelizat tona. Këto mutacione mund të bëjnë që varianti të jetë më ngjitës dhe potencialisht të shmangë më lehtë mbrojtjen e trupit nga antitrupat neutralizues.
Simptomat e zakonshme të variantit NB.1.8.1
Dr. Amesh Adalja nga Qendra për Sigurinë Shëndetësore në Universitetin Johns Hopkins thekson se simptomat më të zakonshme përfshijnë kollën e thatë të vazhdueshme, rrufën dhe lodhjen. “Personat e infektuar mund të vazhdojnë aktivitetet ditore, por ndihen më të lodhur se zakonisht,” thotë Dr. Hoy.

Simptoma të tjera përfshijnë temperaturë, të dridhura, dhimbje fyti dhe muskujsh. Në krahasim me gripin e dimrit, simptomat e COVID-it mund të jenë më të lehta, por të dyja mund të shkaktojnë komplikime të rënda.
OBSH deklaron se nuk ka prova që NB.1.8.1 shkakton sëmundje më të rëndë apo rritje të shtrimeve në spitale apo vdekjeve. Megjithatë, është vërejtur se po rritet përhapja e tij.
A janë efektive vaksinat ndaj NB.1.8.1?
Aktualisht është ende herët për të përcaktuar saktësisht efikasitetin e vaksinave ndaj këtij varianti, por shkencëtarët besojnë se ato do të jenë të mbrojtura mjaftueshëm. NB.1.8.1 rrjedh nga linja Omicron JN.1, të cilën vaksinat e sezonit 2024-2025 e synojnë. “Vaksinat mbrojnë mirë nga format e rënda të sëmundjes, edhe pse mbrojtja ndaj infektimit është më e kufizuar dhe e përkohshme,” tha Dr. Adalja.
Personat në rrezik, si të moshuarit apo ata me imunitet të dobësuar, duhet të vaksinohen nëse ka kaluar më shumë se gjashtë muaj nga doza e fundit apo infektimi i fundit. Ata me rrezik të ulët nuk kanë nevojë urgjente për një tjetër dozë.
Kur mund ta trajtoni në shtëpi dhe kur duhet të shkoni te mjeku?
Shumica e njerëzve mund të shërohen në shtëpi me pushim dhe hidratim. Paracetamoli apo ibuprofeni mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve dhe temperaturës, dhe zakonisht simptomat largohen brenda një jave.
Nëse jeni në rrezik për komplikime serioze, si personat e moshuar ose me imunitet të ulët, kontaktoni mjekun tuaj, pasi ai mund të përshkruajë ilaçe antivirale si Paxlovid ose Molnupiravir, të cilat ulin rrezikun për komplikime serioze dhe vdekje. Këto funksionojnë më mirë kur fillohen brenda pesë ditëve të para nga fillimi i simptomave.

CDC rekomandon të shkoni në urgjencë nëse keni dhimbje kraharori, vështirësi në frymëmarrje, vështirësi në zgjim apo konfuzion. Dr. Hoy thekson se simptoma më shqetësuese është pikërisht vështirësia në frymëmarrje: “Nëse keni COVID apo simptoma të ngjashme dhe frymëmarrja juaj po përkeqësohet, duhet të konsultoheni menjëherë me mjekun, në urgjencë ose në një qendër shëndetësore.”