Hakerat iranianë publikojnë të dhënat e mijëra ushtarakëve izraelitë, duke shënuar një nga sulmet më të mëdha kibernetike të dekadës. Kjo rrjedhje masive ka tronditur institucionet izraelite të sigurisë, duke ekspozuar informacione tepër të ndjeshme për individë që kanë shërbyer në inteligjencë, Forcën Ajrore dhe njësitë elitare të IDF.
Një goditje e rëndë kibernetike ka tronditur institucionet e mbrojtjes izraelite. Një grup hakerash iranianë ka publikuar një databazë masive me mijëra rezyme të ushtarakëve izraelitë, shumë prej të cilëve kanë shërbyer në poste të larta, të ndjeshme dhe tepër të klasifikuara brenda strukturave të sigurisë dhe inteligjencës së Izraelit.
Ky ekspozim i paprecedent ka tronditur jo vetëm nga shkelja e rëndë e privatësisë, por edhe nga rreziqet reale që u kanosen individëve të përfshirë. Të dhënat përfshijnë jo vetëm emra e funksione, por edhe email-e, numra telefoni dhe – në disa raste – adresat e banimit të personave që kanë qenë pjesë e Forcave Ajrore, njësive elitare, inteligjencës ushtarake apo sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Sipas përmbajtjes së dokumenteve, disa nga këta individë kanë pasur role thelbësore si operatorë dronësh, projektues raketash apo pjesë e ekipeve të specializuara në luftën kibernetike. Disa prej tyre rezultojnë të kenë shërbyer në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në zyrën e kryeministrit të Izraelit.
Gazeta izraelite Haaretz
ka verifikuar autenticitetin e pjesës më të madhe të informacionit të publikuar, edhe pse paralajmëron se grupet hakere shpesh i ekzagjerojnë përmasat e ndërhyrjeve të tyre. Nga një testim i rastësishëm, janë kontaktuar rreth 250 persona që figurojnë në databazë, shumica e të cilëve nuk kishin marrë asnjë paralajmërim zyrtar nga autoritetet izraelite.
“Është e frikshme të mendosh që dikush tjetër di gjithçka për ty”, është shprehur njëri nga ushtarakët e ekspozuar.
Ekspertët e sigurisë kibernetike e konsiderojnë këtë incident pjesë të një fushate të qëndrueshme, me të paktën 20 operacione “hack & leak” të kryera në javët e fundit nga i njëjti grup iranian. Gjurmët çojnë drejt platformës JobInfo – një faqe punësimi ose ndonjë prej palëve të treta që menaxhon të dhëna për llogari të saj.
Provat sugjerojnë se rrjedhja ka ndodhur më shumë se një vit më parë, pasi dokumenti më i ri në databazë daton në vitin 2024. Ekspertët theksojnë se publikimi i këtyre të dhënave ndodh vetëm pasi hakerat kanë përfituar maksimalisht nga informacioni, ndërsa zbulimi publik synon të poshtërojë Izraelin dhe të rrezikojë drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e individëve të përfshirë.
Ky nuk është rasti i parë. Prej shpërthimit të luftës në Gaza, hakerat iranianë kanë intensifikuar sulmet digjitale në një ofensivë agresive, ndërsa grupet pro-palestineze kanë shtuar ndjekjen dhe ekspozimin e personelit izraelit jashtë kufijve. Disa janë denoncuar për krime lufte bazuar në videot e shpërndara online, duke i detyruar të ndryshojnë itineraret ose të anulojnë udhëtimet ndërkombëtare nga frika e arrestimit.
Hakerat iranianë publikojnë të dhënat e mijëra ushtarakëve izraelitë në vitin e kaluar, janë publikuar gjithashtu të dhëna sensitive për figura kyçe të sigurisë izraelite, përfshirë edhe një shkencëtar të energjisë bërthamore, të cilët janë kthyer në objektiva të infiltrimeve të mundshme nga agjentë iranianë.
Në sfondin e një lufte gjithnjë e më shumë hibride – ku informacioni është armë – ky akt tregon qartë se beteja për sigurinë po zhvillohet jo vetëm në tokë e ajër, por edhe në terrenin e padukshëm të internetit.