Një lodër e vogël dhe e pazakontë ka pushtuar botën me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Quhet Labubu dhe ka bërë që jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit – përfshirë yje të famshëm dhe influencues – të garojnë për ta pasur në koleksionet e tyre.
Krijuar nga artisti Kasing Lung, Labubu është një përbindësh i ëmbël, i frymëzuar nga mitologjia nordike, që nisi të fitojë famë të madhe në vitin 2019 pas bashkëpunimit me kompaninë Pop Mart. Lodrat shiten në formën e “kutive surprizë”, ku blerësit nuk e dinë cilën figurë do të marrin – një element që i bën edhe më të dëshirueshme dhe sfiduese për koleksionuesit.
Ato janë shndërruar në një simbol mode dhe statusi. Vetëm një kuti kushton rreth 28 dollarë, ndërsa setet kolektive shkojnë mbi 160 dollarë. Disa versione të rralla të Labubu janë rishitur online për shifra marramendëse.
Fenomeni mori përmasa globale kur yje të njohur si Lisa nga grupi K-pop BLACKPINK u shfaq në publik me një Labubu të varur në çantën e saj. Pas kësaj, rrjetet sociale shpërthyen nga video, sfida dhe blerje masive.
Por popullariteti i Labubu nuk erdhi pa pasoja. Në disa vende janë raportuar edhe përplasje fizike nëpër dyqane për të siguruar një lodër. Në Londër, një incident në një qendër tregtare ku njerëzit u konfliktuan për Labubu detyroi kompaninë të tërhiqte përkohësisht lodrat nga shitja fizike.
Pavarësisht këtyre incidenteve, Labubu mbetet një nga fenomenet më të fuqishme të lodrave të dekadës së fundit – një kombinim i nostalgjisë, dizajnit artistik dhe ndikimit të madh të mediave sociale. Dhe ndoshta kjo është vetëm fillimi i një epoke të re në botën e koleksionimit.