E shtunë, 14 Qershor, 2025
Weather Data Source: Tirana weather 30 days
PolitikaVideo

Operacion ‘Enigma’ në Durrës: Arrestohet Xhevdet Plaku ‘Akili’. I arratisuri nga burgu italian, kapet me 6 të tjerë të armatosur!

Në një operacion të koduar “Enigma”, policia shqiptare arrestoi shtatë persona në Durrës. Mes të arrestuarve është edhe Xhevdet Plaku

Në një operacion të koduar “Enigma”, policia shqiptare arrestoi shtatë persona në një restorant në zonën e Gjirit të Lalzit, Durrës. Mes të arrestuarve është edhe Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Akili”, i cili ishte arratisur nga burgu italian i Ankonës në janar të këtij viti, ku po vuante dënimin për trafik droge

Gjatë operacionit, policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta, të cilat të dyshuarit i mbanin me fishekë në fole, gati për qitje. Sipas autoriteteve, tre nga të arrestuarit konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe ishin në kërkim për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe narkotikëve.

Përveç Plakut, në pranga ranë edhe Flobens Meçja, i njohur me pseudonimet “Gega” dhe “Drini”, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, dhe vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani, të dyshuar për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër. Gjithashtu, u arrestuan edhe Alfred Hasanaj, Fatjon Qesja dhe Oltion Hasani, të akuzuar për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve operative që çuan në lokalizimin e të dyshuarve në restorantin ku po drekonin. Pamjet e ndërhyrjes tregojnë momentin kur policia ndërhyn dhe arreston të dyshuarit, të cilët ndodheshin të armatosur në tavolinë.

Ky operacion konsiderohet një sukses i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe tregon përkushtimin e autoriteteve shqiptare në ndjekjen dhe arrestimin e personave të rrezikshëm dhe të kërkuar ndërkombëtarisht.

Reagimi juaj?

Postime të ngjashme