Një moment dramatik është kapur nga kamerat gjatë një transmetimi live, kur një raketë SpaceX Starship shpërtheu në një top zjarri masiv, teksa po përgatitej për një test fluturimi në qendrën e provave Massey’s Testing Center, në Texas. Ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orës 23:00 me orën lokale.
Pamjet tregojnë qartë momentin kur struktura e raketës fillon të digjet dhe shpërthen me një fuqi tronditëse, duke ndriçuar qiellin e natës me flakë të mëdha dhe tym të dendur.
Në një deklaratë zyrtare, kompania SpaceX theksoi se nuk pati asnjë të lënduar nga incidenti. Ata shtuan se nuk ekziston asnjë rrezik për komunitetet përreth, por u kërkuan qytetarëve të mos i afrohen zonës së shpërthimit.
Ky nuk është rasti i parë kur një test i teknologjisë së avancuar të SpaceX përballet me vështirësi. Megjithatë, kompania e Elon Musk ka theksuar vazhdimisht se eksperimentimi dhe testet e dështuara janë pjesë thelbësore e zhvillimit të teknologjisë hapësinore, sidomos kur bëhet fjalë për projekte ambicioze si Starship, që synon dërgimin e njerëzve në Hënë dhe Mars.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues ndanë shqetësimin, ndërsa të tjerë vlerësuan transparencën e kompanisë.