Arrestohen dy të dyshuar për shpërthimin në makinën e punonjëses në Elbasan

Foto: Wikimedia Commons / Attila Terbócs (CC BY-SA 4.0)

Policia ka arrestuar dy të dyshuar të tjerë për shpërthimin me lëndë plasëse në automjetin e një punonjëseje të Bashkisë Elbasan. Ngjarja ndodhi më 5 nëntor, rreth orës 02:00, në lagjen «28 Nëntori». Në kuadër të operacionit të koduar «Porosia», dhe në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, u lokalizuan dhe u ndaluan O. T., 24 vjeç, dhe S. P., 29 vjeç, të dy banues në Durrës. Pronarja e automjetit është identifikuar nga policia me inicialet A. D.

Kulla e sahatit në Elbasan
Foto: Wikimedia Commons / Sezenkerem (CC BY-SA 4.0)

Sipas policisë, O. T. dyshohet se ka vepruar së bashku me B. H., 17 vjeç, të ndaluar më herët, në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse. S. P. dyshohet se e ka transportuar atë me një automjet të siguruar nga E. T., i ndaluar menjëherë pas ngjarjes. Në njoftimin paraprak të 5 nëntorit, policia bëri të ditur se lënda plasëse dyshohet se ka shpërthyer në një nga gomat e para të një Volkswagen-i; mjeti u përfshi nga flakët dhe u dëmtua edhe një Mercedes i parkuar pranë.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat «Shkatërrimi i pronës me eksploziv», kryer në bashkëpunim, dhe «Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit». Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë; motivin policia nuk e ka bërë të ditur.

Exit mobile version