Policia në Bangladesh përdori të martën gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë mbështetësit e ish-kryeministres Sheikh Hasina, të cilët kërkojnë rikthimin e saj në vend. Në rrethin Gopalganj u dogj një automjet i policisë, pasi krahu studentor i ndaluar i partisë së saj, Lidhja Awami, u përplas me forcat e sigurisë, raporton BBC.

Protestat nisën një ditë pasi Hasina, e cila jeton në ekzil në Indi, deklaroi se ka kërkuar pasaportë për t’u kthyer në atdhe. Sipas BBC-së, një shofer autobusi 60-vjeçar vdiq nga tymi pasi automjeti i tij u dogj në qytetin Faridpur, ndërsa rreth 200 protestues bllokuan për pak kohë urën Padma mbi lumin Gang. Ministri i Brendshëm, Salahuddin Ahmed, paralajmëroi se nuk do të lejohet asnjë përpjekje për destabilizim “nga përtej kufirit”, duke aluduar për Indinë.
Një drejtues i lartë i krahut studentor, që ndodhet jashtë vendit, mohoi përgjegjësinë dhe ua faturoi dhunën “keqbërësve të panjohur”. Hasina u largua nga pushteti në gusht të vitit 2024 pas një kryengritjeje masive, gjatë së cilës, sipas vlerësimeve të OKB-së, u vranë deri në 1400 persona, kryesisht nga zjarri i forcave të sigurisë. Më shumë lajme nga rajoni gjeni te rubrika Azi.












