Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cilësoi të mërkurën “të papranueshme dhe skandaloze” deklaratat e Taulant Ballës ndaj eurodeputetit gjerman Michael Gahler, raporton BalkanWeb. Gahler drejton delegacionin e Parlamentit Evropian për zgjedhjet në Shqipëri dhe është koordinator i grupit të EPP-së.

Bardhi dënoi atë që e quajti gjuhë përçmuese të kreut të grupit socialist dhe tha se apeli i Gahlerit duhet marrë seriozisht. Sipas tij, ai nuk shpreh një qëndrim personal, por pasqyron atë që Parlamenti Evropian ka shkruar në rezolutën e vitit 2025. Zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, tha Bardhi, janë kusht për ecjen e Shqipërisë drejt BE-së.
“Askush nuk mund ta frikësojë apo ta delegjitimojë zërin e përfaqësuesve evropianë që kërkojnë standarde demokratike”, deklaroi Bardhi. Përplasja vjen pasi Gahler ka ngritur prej ditësh alarmin për situatën në Shqipëri, siç e kemi raportuar këtu. Sulmet e mazhorancës ndaj zërave kritikë në Bruksel rrezikojnë ta izolojnë qeverinë Rama edhe më shumë.