Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, është liruar të martën nga grumbullimi dhe nuk do të luajë në dy ndeshjet e nëntorit të Ligës së Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës. Lajmin e dha Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), pas ekzaminimeve mjekësore të qendërmbrojtësit.

Sipas FFK-së, ekzaminimet konfirmuan se Dellova nuk është në gjendje ta ndihmojë ekipin, pavarësisht dëshirës së tij të madhe për të qenë në dispozicion. Federata i uroi lojtarit shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë në fushë.
Mungesa e tij vjen në një moment delikat për Kosovën, që përgatitet për dy ndeshjet e fundit të grupit në Ligën e Kombeve. Lajmi i mirë për ekipin është rikthimi i kapitenit Vedat Muriqi, i cili po kalon një periudhë të shkëlqyer me Fenerbahçen.