Të paktën 11 persona humbën jetën të martën në mëngjes, pasi dhjetëra makina dhe kamionë u përfshinë në dy përplasje zinxhir në autostradën Trakia, në juglindje të Bullgarisë, pranë qytetit Zimnica. Sipas ministres së Shëndetësisë, Katya Ivkova, 10 persona vdiqën në vendngjarje dhe një në spital, raporton BBC.

Agjencia shtetërore BTA njofton 46 të plagosur, ndërsa media të tjera, duke cituar Ministrinë e Brendshme, flasin për rreth 50. Guvernatori i rajonit të Slivenit, Mihail Kasherov, tha se u përfshinë mbi 70 automjete. Autoritetet e lidhin përplasjen e parë me mjegullën e dendur, ndërsa e dyta, në drejtim të Sofjes, u shkaktua po ashtu nga mjegulla dhe nga shpërqendrimi i drejtuesve pas aksidentit të parë.
Njoftimet e para mbërritën rreth orës 07:10 me orën lokale, ndërsa mjegulla pengoi përdorimin e helikopterëve për evakuimin. Kryeministri Rumen Radev, i cili po priste presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërpreu një konferencë për shtyp pas lajmit. Autostrada mbetet e mbyllur derisa të pastrohet.











