Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në IEVP Fier, u ka kërkuar sot Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe prokurorit të çështjes në SPAK që të lejohet të marrë pjesë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste më 14 nëntor. Në shkresën e publikuar nga Balkanweb, ai kërkon pjesëmarrje fizike ose, si alternativë, përmes videokonferencës.

Veliaj argumenton se masa “arrest në burg” nuk duhet ta privojë nga e drejta për të marrë fjalën, për të paraqitur propozime dhe për të votuar në organet drejtuese të partisë. Ai sqaron se nuk kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, por vetëm ushtrimin e të drejtave politike. Kërkesa tregon se një nga figurat kryesore të partisë në pushtet vijon të mbajë poste drejtuese në PS, ndonëse ndodhet në paraburgim në kuadër të një çështjeje të SPAK-ut.
Ndërkohë, në procesin e ndarë nga dosja “Veliaj”, që zhvillohet me gjykim të shkurtuar, Gjykata e Posaçme ka caktuar 25 nëntorin si datë për shpalljen e vendimit, sipas Pamfletit. SPAK ka kërkuar 7 vjet burg për biznesmenin Elman Abule, që me uljen për gjykimin e shkurtuar bëhen 4 vjet e 8 muaj, ndërsa për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka ka kërkuar një gjobë prej 600 mijë lekësh. Vetë Veliaj, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë gjykohen veçmas, me procedurë të zakonshme.