Policia e Austrisë së Poshtme njoftoi më 11 nëntor se një grup i dyshuar prej të paktën shtatë personash, të moshës 29 deri 41 vjeç, ka kthyer rreth 600 mijë shishe të ripërdorshme me etiketë të rreme në automatet e depozitës në supermarketet anembanë Austrisë, nga fundi i janarit deri në mes të marsit 2026. Sipas policisë, dëmi i përgjithshëm është në shumën e ulët të gjashtë shifrave në euro, mbi 100 mijë euro.

Rasti nisi më 6 mars 2026 në Wiener Neustadt, kur një 29-vjeçar me shtetësi rumune u arrestua ndërsa përpiqej të kthente në para bono depozite të përftuara në mënyrë të paligjshme te arka e një dyqani ushqimor. Në automjetin e tij, policia gjeti një sasi të madhe shishesh të falsifikuara. Sipas hetuesve, një i dyshuar kishte me qira një depo në rrethin Bruck an der Leitha. Shishet e punuara posaçërisht, me etiketë të rreme, janë sjellë me kamion në depo dhe pastaj janë shpërndarë me furgonë të marrë me qira te automatet në të gjithë vendin.
Prokuroria e Wiener Neustadt-it lëshoi urdhër-arreste evropiane për pesë të dyshuar. Dy burra 37-vjeçarë u arrestuan në Rumani më 27 dhe 29 tetor 2026; tre të tjerë janë ende në kërkim. I 29-vjeçari i arrestuar në mars u dënua në mes të gushtit, me vendim të formës së prerë, me 15 muaj burg, prej të cilëve 10 muaj me kusht.