Mjeti nënujor autonom STM NETA 300, i zhvilluar nga kompania turke e mbrojtjes STM, ka fotografuar një tank të fundosur pranë ishullit Güvercin në Kash të Antalisë. Gjatë misionit të kërkim-shpëtimit dhe zbulimit të objekteve nënujore, mjeti e skanoi vetë fundin e detit me sonarë të avancuar dhe kamera me rezolucion të lartë, njofton agjencia Anadolu.

Tanku, i dalë nga përdorimi në Forcat e Armatosura Turke, ishte zhytur aty qëllimisht në vitin 2017 për të krijuar një rif artificial dhe për të nxitur turizmin e zhytjes. Drejtori i përgjithshëm i STM, Özgür Güleryüz, tha se misioni në Mesdhe tregon nivelin që ka arritur inxhinieria turke nën ujë, ndërsa kompania e ka zgjeruar familjen e produkteve me nëndetësen pa pilot TENGİZ dhe mjetin detar kamikaz YAKTU, sipas NTV.
Mjeti është aq kompakt sa mund ta mbajnë dy persona, punon deri në 300 metra thellësi për 24 orë rresht dhe arrin shpejtësinë e 5 nyjeve. Në tetor ai u përdor në stërvitjen TURNAs-2026 në Antali për të zbuluar në mënyrë autonome minat dhe objektet e dyshimta në det, ndërsa në fushën civile mund të shërbejë për kontrollin e tubacioneve, impianteve të energjisë së rinovueshme dhe për arkeologjinë nënujore. Më shumë lajme për arritjet e reja gjeni te rubrikat tona Teknologji dhe Turqi.