Presidenti amerikan Donald Trump tha se do ta konsideronte “sigurisht” një ndërhyrje ushtarake në Kubë dhe se dëshiron ta zgjidhë çështjen e ishullit përpara se të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar 2029. “Dua ta zgjidh çështjen e Kubës përpara se të largohem”, i tha ai të enjten në një intervistë telefonike gazetarit Hugh Hewitt të Salem News Channel, raporton Al Jazeera. Sipas Politico, është hera e parë që Trump vendos një afat kohor për një operacion të mundshëm ndaj Kubës.
Kur Hewitt e pyeti nëse do të pranonte “pak forcë ushtarake, një fushatë njëjavore”, Trump u përgjigj: “Sigurisht që do ta konsideroja”. Ai e quajti Kubën “në thelb një vend të dështuar” dhe tha se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, prindërit e të cilit janë nga Kuba, “do ta donte” një gjë të tillë. “Do të doja ta bëja këtë për njerëzit, për kubanët që erdhën në Amerikë dhe që u trajtuan shumë keq”, shtoi presidenti.

Që nga janari, pas kapjes së presidentit venezuelas Nicolás Maduro nga SHBA-të, Kuba është nën një bllokadë de facto nafte, që ka shkaktuar ndërprerje të përgjithshme të energjisë dhe mungesa karburanti e ushqimi. Zyrtarët kubanë e kanë quajtur bllokadën “ndëshkim kolektiv” dhe kanë deklaruar se ishulli është gati për çdo sulm. Trump ka ngritur tonin edhe ndaj Iranit, duke thënë se nuk ka nevojë për marrëveshje me Teheranin.