Një ushtar amerikan 41-vjeçar, me gradë të lartë, është arrestuar të martën pranë Gloucesterit në Angli, i dyshuar se ka spiunuar për Rusinë, sipas BBC. Policia kundërterroriste e Londrës njoftoi se ai u ndalua sipas neneve një dhe tre të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023, që kanë të bëjnë me marrjen ose zbulimin e informacionit të mbrojtur dhe me ndihmën ndaj një shërbimi të huaj inteligjence.

Sipas BBC-së, ushtari shërbente në kazermën Imjin në Innsworth, ku ndodhet selia e Korpusit Aleat të Reagimit të Shpejtë të NATO-s (ARRC). Policia po kryen kontrolle në dy vende në Gloucestershire dhe thotë se rasti nuk lidhet me hetime të tjera. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se arrestimi lidhet me akuza për spiunazh “që shqetësojnë në kulm Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tona”.
Ushtari, emri i të cilit nuk është bërë publik, mbahet në një komisariat në Londër dhe, sipas ligjit, mund të qëndrojë në paraburgim pa akuzë deri në 14 ditë. Zëvendëskomisionerja Vicki Evans e cilësoi arrestimin “të rëndësishëm” dhe tha se hetimi vazhdon. Më shumë lajme nga kontinenti gjeni te rubrika Evropa, ndërsa një tjetër rast me dyshime për spiunazh është hetimi për aferën e Jensen Huangut.