Solange Alexandre, një nga heroinat e fundit të Rezistencës franceze në Luftën e Dytë Botërore, ka vdekur në moshën 104-vjeçare në një shtëpi për të moshuar në Le Mans, njofton BBC. Ajo ishte një nga gratë e rralla që, bashkë me burrin e saj të ardhshëm, krijoi dhe komandoi një njësi luftëtarësh kundër pushtuesve gjermanë.

E lindur në vitin 1922 në departamentin Sarthe, ajo nisi si korriere e Rezistencës në vitin 1941, me pseudonimin Corlay, duke përshkuar me biçikletë rajonin përreth Le Mans-it për të mbledhur informacion dhe për të përcjellë mesazhe. Në vitin 1944 themeloi rrjetin Pas-de-Boeuf pranë Ruillé-sur-Loir, ku me rreth 30 burra nën komandë organizoi sabotime, strehoi pilotë aleatë dhe, pas zbarkimit në Normandi, iu bashkua luftës kundër forcave gjermane.
Presidenti Emmanuel Macron i bëri homazh në rrjetet sociale: “Ajo thoshte se kishte bërë vetëm detyrën e saj, por detyra e saj ishte liria jonë.” Për të, gjithçka nisi në qershor të vitit 1940, kur dëgjoi në radio thirrjen e gjeneralit Charles de Gaulle nga Londra për të mos hequr dorë nga lufta. Më shumë histori të tilla gjeni te rubrika Kulturë.











