Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbajti të martën në Pentagon konferencën e tij të parë për shtyp pas gjashtë muajsh, duke e lidhur hapur fatin e tij politik me presidentin Donald Trump. Ai sulmoi kongresmenin republikan Thomas Massie, i cili ka paraqitur nenet e shkarkimit (impeachment) kundër tij, duke e quajtur “një kongresmen të pakënaqur dhe të mundur” dhe nismën e tij “një farsë”, raporton BBC.

Operacionet ushtarake në Iran dhe Venezuelë, që janë në qendër të procedurës, sipas Hegsethit u “urdhëruan nga komandanti i përgjithshëm dhe më pas nga unë”. Ai pranoi se lufta me Iranin “nuk është domosdoshmërisht popullore”, por e cilësoi të nevojshme, ndërkohë që zëvendëspresidenti JD Vance ka deklaruar se pikërisht kjo luftë u kushtoi republikanëve humbjen. Republikanët sapo humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa sondazhet tregojnë se pakënaqësia e votuesve lidhej me luftën dhe me ndikimin e saj në xhepat e tyre.
Sipas analizës së BBC-së, Trump ndodhet para një dileme: nëse e mban Hegsethin, rrezikon të duket se nuk e ka dëgjuar mesazhin e votuesve, ndërsa nëse e shkarkon, kjo mund të shihet si pranim se lufta me Iranin është kthyer në barrë politike. Tensionet me Iranin po ndihen edhe në Evropë, ku SHBA largoi avionët nga baza britanike Mildenhall pas një kërcënimi të lidhur me Teheranin.











