Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Aleksandër Darçiev, ndërroi jetë papritur të mërkurën në moshën 66-vjeçare, njoftoi Ministria e Jashtme ruse. Në deklaratën zyrtare, diplomacia e Moskës e cilësoi atë “një diplomat të shquar, drejtues me përvojë dhe koleg të mirë”, pa dhënë fillimisht hollësi për shkakun e vdekjes, raporton AP.

Disa orë më pas, zëdhënësja e ministrisë, Maria Zaharova, shkroi në Telegram se Darçiev vdiq në Moskë nga një sëmundje kronike. Ajo shtoi se data dhe vendi i ceremonisë së lamtumirës do të bëhen të ditura në një moment tjetër, sipas agjencisë RIA Novosti.
Darçiev u emërua ambasador në Uashington nga presidenti Vladimir Putin në mars të vitit 2025, për të drejtuar përpjekjet e Moskës për afrim me administratën e Donald Trumpit. Më parë ai kishte shërbyer si ambasador në Kanada dhe kishte drejtuar Departamentin e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Jashtme ruse, ndërsa në shkurt 2025 kryesoi delegacionin rus në bisedimet me amerikanët në Stamboll. Vdekja e tij vjen në ditët kur Uashingtoni po ndërmjetëson bisedimet për luftën në Ukrainë, siç e kemi raportuar këtu.