Çmimi Caine për letërsinë afrikane njoftoi të mërkurën se, pas një hetimi të brendshëm, nuk gjeti asnjë provë që shkrimtari zimbabveas Simbarashe Kundizeza të ketë përdorur inteligjencë artificiale për tregimin e tij fitues, sipas BBC. Kështu, ai u konfirmua fitues i çmimit të këtij viti, me vlerë 10 mijë paund, rreth 13 mijë dollarë.

Dyshimet nisën pas një artikulli të gazetares Vauhini Vara në revistën amerikane The Atlantic, ku pretendohej se programi Pangram e kishte identifikuar tregimin si tërësisht të krijuar nga inteligjenca artificiale. Kundizeza i mohoi me forcë akuzat, ndërsa në rrjetet sociale disa shkrimtarë afrikanë sugjeruan se akuza të tilla po u drejtohen kryesisht autorëve me ngjyrë.
Kryetarja e bordit të çmimit, Ellah Wakatama, tha se provat janë të qarta dhe se tregimi “The Blue Fighter” është shkruar nga një njeri. Hetimi përfshiu intervista me autorin, me jurinë e vitit 2026 dhe me revistën Shallow Tales Review, ku u botua fillimisht tregimi, si dhe analizën e drafteve nga një ekspert i pavarur i forenzikës digjitale. Rasti vjen pas polemikave të ngjashme për çmime të tjera letrare këtë vit, ndërsa më shumë lajme nga bota e librit gjeni te rubrika Libri.