Filmi “Nëntori i Ftohtë”, me regji të Ismet Sijarinës, u shfaq në Ambasadën e Kosovës në Pragë, në një mbrëmje që bashkoi studentë dhe të rinj nga vende të ndryshme të botës, shkruan Telegrafi. Vepra, e bazuar në ngjarje të vërteta të fillimit të viteve ’90, sjell një periudhë kyçe të historisë së Kosovës.
Në shfaqje morën pjesë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Çekia, Brazili, India, Kazakistani, Pakistani, Armenia, Kolumbia dhe Siria. Ambasada vlerësoi rëndësinë e diplomacisë kulturore, duke theksuar se arti dhe historia shërbejnë si ura mirëkuptimi mes popujve.

Aktiviteti u organizua së bashku me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Çeki, një tjetër shembull se si diaspora shqiptare po e çon historinë e vendit para publikut ndërkombëtar. Informacione për filmin dhe aktivitetet e tjera ofron edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.