LajmePolitikëShqipëri

McAllister në Parlamentin Evropian: Kullat e Tiranës ngrenë pyetje për pastrimin e parave

David McAllister, kreu i Komisionit të Jashtëm në PE, ngre shqetësime për korrupsionin dhe kullat e Tiranës, ndërsa mbështet idenë e një qeverie teknike.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ngriti të martën shqetësime të forta për situatën politike në Shqipëri, duke thënë se qytetarët kanë dalë në rrugë kundër abuzimit me pushtetin, korrupsionit në rritje dhe kostos së lartë të jetesës. Gjatë mbledhjes së komisionit, ai përmendi edhe kullat e ndërtuara në Tiranë, duke vënë në dyshim burimin e parave të investuara në to, raporton BalkanWeb.

Kullat e reja në qendër të Tiranës në perëndim të diellit
Foto: Wikimedia Commons / Albinfo (CC BY-SA 4.0)

“Mjafton të shikoni kullat që janë ndërtuar në Tiranë, për të kuptuar çfarë problematikash ka aty dhe se si pastrohen paratë”, u shpreh eurodeputeti gjerman i Partisë Popullore Evropiane, sipas deklaratës së përcjellë edhe nga CNA. McAllister tha se komisioni ka marrë “mesazhe të shumta shqetësuese” nga Shqipëria dhe se një qeveri teknike do t’u jepte qytetarëve shpresë për zgjedhje të lira e të ndershme, duke ulur njëherësh tensionet e protestave.

Fjalët e tij vijnë në një kohë kur qeveria e Edi Ramës përballet me protesta të vazhdueshme dhe me kritika për trajtimin e protestuesve, si në rastin e 17-vjeçarit të gjobitur pas protestës. Ndërkohë, edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë ka paralajmëruar se afati për reformën zgjedhore është i ngushtë.

Cili është reagimi juaj?

Artikuj të ngjashëm

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *