Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë paralajmëroi të martën se disa nga ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale mund t’u japin të dyshuarve kohë për t’u larguar nga vendi dhe për të ndërhyrë në prova. Në një reagim publik, të përcjellë nga Pamfleti, prokurorët thonë se forcimi i garancive për personat nën hetim nuk duhet të kthehet në pengesë për drejtësinë dhe për mbrojtjen e viktimave.

Shqetësimi kryesor lidhet me standardin e provave për caktimin e masave të sigurimit, i cili sipas shoqatës po afrohet me atë që kërkohet për të provuar fajësinë. Kjo, thonë prokurorët, do të kërkonte që në fillim të hetimit atë që gjykata e vendos vetëm pas shqyrtimit në themel. Ata kundërshtojnë edhe njoftimin paraprak të personit, përfshirë funksionarët publikë, për masën që kërkohet ndaj tij, si dhe kufizimin e rrezikut të përsëritjes vetëm te veprat penale të të njëjtit lloj.
Reagimi shton presionin ndaj ndryshimeve ligjore që po diskutohen në një kohë kur hetimet e SPAK-ut kanë prekur zyrtarë të lartë, përfshirë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që ndodhet në paraburgim. Shoqata pranon se arresti në burg duhet të mbetet masë përjashtimore, por kërkon që reforma të mos dobësojë aftësinë e drejtësisë për të vepruar në kohë.












