Portugalia mbyll të mërkurën shkollat dhe shërbimet publike jo thelbësore, ndërsa stuhia Charles pritet të godasë vendin me shi të dendur dhe erëra të fuqishme. Tetë qarqe, përfshirë Lisbonën, janë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit, të kuqin, ndërsa gjendja e alarmit do të jetë në fuqi gjatë gjithë ditës së mërkurë.
“Të gjithë ata që kanë mundësi duhet të qëndrojnë në shtëpi”, tha të martën ministri i Brendshëm, Luis Neves, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin zonat bregdetare dhe të punojnë nga shtëpia. Sipas tij, të cituar nga media portugeze Diário de Notícias, vendi do të vihet në provë sidomos të mërkurën, kur priten kushtet më të rënda.
Stuhia kalon fillimisht mbrëmjen e së martës mbi ishullin e Madeirës dhe pritet të mbërrijë në Portugalinë kontinentale të mërkurën në mëngjes. Agjencia Portugeze e Mjedisit paralajmëron se 101 komuna rrezikojnë përmbytje, ndërsa vendi po përballon ende stuhinë Bruna, e cila ka sjellë reshje të dendura dhe vështirësi në transport.










