Kroçera “për gjithë jetën” përfundon e sekuestruar në portin e Singaporit

Foto: BBC News

Anija Villa Vie Odyssey, që premtonte një kroçerë shumëvjeçare rreth botës, është sekuestruar në Singapor me urdhër gjykate, raporton BBC. Rreth 200 pasagjerë u detyruan të zbresin muajin e kaluar në portin kamboxhian të Sihanoukville, pasi operatori amerikan Villa Vie Residences pezulloi papritur aktivitetin, duke përmendur rritjen e jashtëzakonshme të kostos së karburantit.

Anija e kroçerave Villa Vie Odyssey
Foto: Wikimedia Commons / JerickVillaruel (CC BY-SA 4.0)

Anija u nis nga Belfasti në tetor 2024 për një udhëtim tre vjet e gjysmë në 150 vende. Kabinat shiteshin si “shtëpi në det” me çmime nga 120,000 deri në 440,000 dollarë, ose jepeshin me qira nga 3,500 dollarë në muaj. Autoriteti portual i Singaporit thotë se ekuipazhi është mirë dhe se për mirëqenien e tij po kujdesen kreditorët e anijes.

Kroçera pati probleme që nga fillimi: nisja u vonua katër muaj për riparime dhe dokumente, ndërsa në Vietnam ekuipazhi blinte ushqime në dyqane lokale, sepse kompania i kishte borxh furnizuesit, sipas CBS. Në gusht, operatori kishte paralajmëruar për vështirësi financiare dhe rrezikun e ndalimit. Histori të tjera nga Azia gjeni në rubrikën Bota.

Exit mobile version