Studentë dhe qytetarë u mblodhën sërish të premten në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, në ditën e 167-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës. Protestuesit përsëritën se nuk pranojnë asnjë formë dialogu apo negociate me kryeministrin dhe kërkojnë largimin e tij të parevokueshëm nga detyra, duke paralajmëruar se qëndresa do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave.
Protesta ka marrë vëmendje edhe në Bruksel. Një studim i nëntorit 2026, i përgatitur për Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET) me titull “Sustaining EU Enlargement”, e trajton lëvizjen e njohur si “Revolucioni i Flamingove” si shfaqje të problemeve më të thella demokratike në Shqipëri, duke përmendur përqendrimin e pushtetit politik rreth kryeministrit. Sipas dokumentit, ajo që nisi si protestë kundër projektit në Zvërnec, mungesës së transparencës dhe rrezikut të tjetërsimit të pronës publike, u shndërrua në një lëvizje për qeverisje të mirë.

Studimi kujton se Parlamenti Europian i ka kërkuar Shqipërisë një moratorium për lejet e reja deri në përputhjen me legjislacionin e BE-së dhe shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Dokumenti ngre gjithashtu shqetësime për përqendrimin e pronësisë së medias dhe kufizimet ndaj gazetarisë investigative. Ndërkohë, diaspora ka paralajmëruar ardhjen në Tiranë më 28-29 nëntor, ndërsa Rama vazhdon të fajësojë opozitën për protestat.
















