Samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, pavarësisht planeve që Tirana të priste takimin e ardhshëm të liderëve të Aleancës. Kryeministri Edi Rama e konfirmoi të enjten në Dublin, duke thënë se ende nuk ka dakordësi mes vendeve anëtare për datën: “Me siguri jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, raporton BalkanWeb.
Pas shtyrjes qëndrojnë rezervat që agjencia Reuters i raportoi që në qershor: kundërshtimet e administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësia e disa vendeve anëtare për nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen. Brenda Aleancës diskutohet edhe heqja e praktikës së samiteve çdo vit, gjë që do të shmangte një përballje potencialisht të tensionuar me Trumpin. Pikëpyetjet për samitin e Tiranës ishin ngritur edhe më herët, siç e kemi raportuar.

Një zyrtar i NATO-s deklaroi të enjten se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri, por data nuk është vendosur. Në deklaratën e Hagës, në qershor 2025, liderët pritnin që pas Turqisë në 2026 radha t’i binte Shqipërisë, por deklarata e samitit të Ankarasë, në korrik 2026, nuk përcaktoi as datën, as vendin. Rama ndodhej në Dublin, ku tha se Europa gaboi që zgjodhi armët ndaj Rusisë.
















