Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, nënshkruan të premten në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë. Sipas agjencisë Anadolu, gjatë takimit të 12-të të Komitetit të Lartë Strategjik Turqi–Katar u nënshkruan gjithsej pesë marrëveshje, përfshirë bashkëpunimin në arsim, mbrojtjen e konsumatorit dhe zgjidhjen e konflikteve.
Sipas deklaratës së përbashkët të publikuar nga agjencia shtetërore e Katarit, marrëveshja synon forcimin e mbrojtjes kolektive dhe një qëndrim të përbashkët ndaj çdo sulmi të armatosur nga jashtë që shënjestron njërën ose të dyja palët. Ajo parashikon konsultime për kërcënimet e sigurisë, stërvitje të përbashkëta ushtarake, bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes dhe shkëmbim në trajnimin e personelit.

Erdoğan tha se marrëveshja “do t’i shtojë një dimension të ri vëllazërisë” mes dy vendeve dhe se Turqia e Katari do të vazhdojnë të punojnë për të parandaluar rikthimin e luftës në rajonin e Gjirit, ku tensionet mbeten të larta pas shpërthimeve në Ngushticën e Hormuzit. Turqia mban prej vitesh trupa në Katar dhe ka forcuar ndjeshëm praninë ekonomike në rajon, ashtu si edhe në Shqipëri.
















