Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 10:00 (CET), aktgjykimin në çështjen e administrimit të drejtësisë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të tjerëve. Sipas gjykatës, seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet në shqip, anglisht dhe serbisht.

Ky proces është i ndarë nga gjykimi për krime lufte. Të akuzuar janë edhe ish-shefi i AKI-së Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi. Sipas aktakuzës, të konfirmuar më 29 nëntor 2024, Thaçi dyshohet se, nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit, u dha Smakajt, Kilajt dhe Fazliut të dhëna konfidenciale për dëshmitarë, me qëllim që të ndikohej në dëshmitë e tyre.
Thaçi përballet me tre akuza për tentativë pengimi të zyrtarëve në kryerjen e detyrës, katër për shkelje të sekretit të procedurës dhe katër për përbuzje të gjykatës. Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen secili me një akuzë për tentativë pengimi dhe një për përbuzje të gjykatës, ndërsa Kuçi me dy akuza për përbuzje të gjykatës. Gjyqi nisi më 27 shkurt 2026 dhe çështja u mbyll më 14 shtator 2026, pas fjalëve përmbyllëse.
















