Ish-ministri i Brendshëm dhe historiani Neritan Ceka tha të martën se lëvizja e të rinjve që protestojnë kundër qeverisë duhet të kalojë nga rruga në organizim politik dhe të marrë pjesë në zgjedhje. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ai propozoi që lëvizja të dalë me një kandidat të vetëm për kryetar të Bashkisë së Tiranës, me mbështetjen e opozitës.

Ceka akuzoi se dhuna policore ndaj protestuesve është e komanduar. “Ky është një operacion policor, nuk është një mbrojtje e rendit”, tha ai, duke shtuar se policia drejtohet nga njerëz që nuk janë profesionistë. Sipas tij, pjesa më e madhe e protestave ka qenë e qetë dhe lëvizja përbën një zhvillim të rëndësishëm për vendin.
Duke përmendur si shembuj Syrizën në Greqi dhe zhvillimet në Serbi, Ceka tha se një lëvizje nuk mund të qëndrojë pafundësisht në rrugë. Ai i kërkoi opozitës të mos nxjerrë kandidatin e saj për Tiranën, por të garojë vetëm për këshillin bashkiak, në mënyrë që qyteti të ketë një kandidat të vetëm të dalë nga lëvizja.













1 koment