Të rinjtë shqiptarë janë në kufijtë e durimit nga varfëria, korrupsioni dhe mungesa e perspektivës, shkruan Radio Televizioni Publik Zviceran (SRF) në një reportazh për protestat në Shqipëri. Gazetari Janis Fahrländer përshkruan se si protestat e nisura kundër një projekti luksoz në një zonë të mbrojtur, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Paga minimale është rreth 500 euro, ndërsa qiraja nis nga të paktën 400 euro”, i tha SRF-së Jasmina Sengla, një 24-vjeçare që punon në një organizatë joqeveritare. Sipas reportazhit, shumë studentë punojnë me kohë të plotë krahas studimeve dhe sërish nuk ia dalin me shpenzimet, ndërsa studenti i Mjekësisë Yuri Taullau e përshkruan jetën e përditshme si “një sfidë të vazhdueshme”.
SRF vëren se rritja ekonomike e viteve të fundit, e nxitur nga turizmi, ka krijuar kryesisht vende pune sezonale dhe me paga të ulëta. Të rinjtë e intervistuar ankohen gjithashtu për mungesën e punës sipas kualifikimit dhe për korrupsionin, duke kërkuar ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit.










