Bisedimet për Ukrainën mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi u mbyllën të mërkurën pas dy ditësh pa ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, raporton BBC. Pala amerikane tha se pa “disa hapje”, ndërsa raundi u përqendrua te arkitektura e sigurisë në Evropë pas luftës.

Negociatori ukrainas Davyd Arakhamia tha se ky raund, i pari që nga shkurti, ishte “një nga më të vështirët”, pasi rusët erdhën me “direktiva shumë të rrepta”. Megjithatë, ai foli për “momentum të mirë” dhe kërkoi që raundi i dytë të organizohet sa më shpejt. Moska dhe Kievi konfirmuan se po përgatitet një shkëmbim i madh i të burgosurve të luftës.
Pas bisedimeve u njoftua se të enjten të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë në Moskë për të takuar Vladimir Putinin, e më pas në Dublin për t’u takuar me Volodimir Zelenskin. Në Abu Dhabi ishin edhe përfaqësues të Britanisë, NATO-s dhe vendeve të BE-së, por Kremlini tha se delegacioni rus nuk pati kontakt me ta. Si nisi ky raund lexoni këtu.
















