Eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev, anëtar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane, i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë të hetojë përdorimin joproporcional të forcës ndaj protestuesve dhe gjobat që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) u ka vënë televizioneve, pasi të ftuarit e tyre kishin bërë deklarata kundër Edi Ramës. Ai foli në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, raporton BalkanWeb.

“Ata kanë shqetësime legjitime dhe këto shqetësime duhet të dëgjohen”, tha Kovatchev për protestuesit, duke theksuar se e drejta për protestë paqësore duhet të garantohet. Ai kërkoi që opozitës t’i jepet mundësia t’i ngrejë në Kuvend çështjet e dhunës, të lirisë së shprehjes dhe të veprimtarisë së AMA-s. Eurodeputeti shtoi se edhe dhuna e protestuesve që kanë dëmtuar prona private dhe publike është e papranueshme dhe duhet hetuar.
Sipas Kovatchevit, Shqipëria “mund dhe duhet” t’i përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, por kjo kërkon rezultate konkrete, gjyqësor të pavarur dhe luftë të mirëfilltë kundër korrupsionit. Ai kërkoi gjithashtu që projektet turistike dhe infrastrukturore t’u nënshtrohen vlerësimeve të pavarura mjedisore dhe konsultimeve publike sipas standardeve të BE-së. Qëndrimi i tij vjen pas thirrjeve në Parlamentin Evropian për një qeveri teknike në Shqipëri dhe pas 164 ditëve protestë para Kryeministrisë.