Protesta e diasporës, e paralajmëruar për 28 dhe 29 nëntor në Tiranë, do të ketë një kërkesë kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Detajet i zbuloi aktivisti Ardit Dulaj, një nga të angazhuarit në mobilizimin e shqiptarëve jashtë vendit, në emisionin “Minuta e Parë” të News24, sipas BalkanWeb.

Sipas Dulajt, më 28 nëntor një kolonë do të nisë nga veriu i Shqipërisë, të cilin ai e quajti portën tokësore që e lidh vendin me Evropën. Pjesëmarrësit nga veriu do të takohen me ata që vijnë nga jugu te ish-stacioni i Trenit në Tiranë, prej nga do të marshojnë së bashku drejt sheshit. “Ne na bashkon flamuri kuq e zi”, tha Dulaj.
Organizatorët nuk kanë bërë ende publike oraret e sakta të nisjes së kolonave dhe as programin e plotë të dy ditëve, raporton Pamfleti. Mobilizimi vjen ndërsa protestat kundër qeverisë Rama vazhdojnë prej muajsh, dhe shqiptarët jashtë vendit i kanë mbështetur edhe më parë protestuesit, si në rastin e 17-vjeçarit të gjobitur me 5 milionë lekë.