Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën në Dublin se Europa ka bërë “një gabim shumë të madh” që në ditën e parë të luftës në Ukrainë, kur hoqi dorë nga diplomacia me Rusinë dhe u përqendrua te armatimet. Ai foli në një bashkëbisedim në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), sipas Pamfletit.

“Vënia bast për një fitore përfundimtare kundër Rusisë dhe ndalja e bisedimeve ishte një gabim i madh”, tha Rama, duke shtuar se nuk sheh “ndonjë oreks” për angazhim me Moskën në nivele të larta. Ai mori në mbrojtje edhe ish-kancelaren gjermane Angela Merkel për blerjen e gazit rus me çmime të ulëta, por pranoi vetë se Shqipëria nuk ka peshë në zgjidhjen e konfliktit.
Leksionet e kryeministrit për fuqitë europiane anashkalojnë faktin se lufta nisi me pushtimin rus të Ukrainës, ndërsa vendet europiane e kanë argumentuar ndihmën ushtarake si mbështetje për të drejtën e Kievit për t’u mbrojtur. Nga i njëjti forum, Rama i quajti protestat në Tiranë rezultat të “urrejtjes ndaj Donald Trump”, pas akuzave për ndërhyrje iraniane që i kemi raportuar më herët. Ndërkohë, qytetarët në sheshet e Tiranës vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.