Rama fajëson Iranin dhe opozitën për protestat, por pranon se ka korrupsion

Foto: BalkanWeb

Kryeministri Edi Rama, nga një forum në Dublin të Irlandës, ua hodhi fajin për protestat në Shqipëri ndërhyrjes së regjimit iranian në rrjetet sociale dhe opozitës. Ai pretendoi se lëvizja, që sipas tij nisi në qershor, ka ndryshuar përbërje dhe se tani në të janë përfshirë opozita politike dhe grupime të ekstremit të majtë e të djathtë, raporton BalkanWeb.

Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite zyrtare në maj 2026
Foto: Wikimedia Commons / Stenbocki maja (CC BY 4.0)

“Tani ka ‘zogj’ të tjerë, opozita politike, një kombinim kahjesh nga e majta dhe e djathta ekstreme. Tani ka dhunë dhe dhuna është e papranueshme”, tha Rama. Ai u kujdes të sqaronte se nuk ka thënë që protestuesit i organizon Irani, por këmbënguli se Teherani i ka nxitur përmes mediave sociale.

Deklaratat vijnë ndërsa qytetarët dhe studentët protestojnë prej muajsh kundër qeverisë, ndërkohë që vetë Rama u prit me protestë edhe nga shqiptarët e Irlandës, siç e kemi raportuar. I pyetur për korrupsionin, kryeministri pranoi se Shqipëria “ka probleme”, por tha se “për herë të parë” ka një sistem që e lufton atë, një pretendim që protestuesit në sheshet e Tiranës e kundërshtojnë me thirrjet e tyre kundër korrupsionit.

Exit mobile version