Të paktën dy njerëz humbën jetën dhe mbi 17 të tjerë u plagosën pasi një ndërtesë trekatëshe u shemb të mërkurën në Brooklyn të Nju Jorkut, duke rënë mbi një kantier ndërtimi ngjitur me të. Shembja ndodhi rreth orës 16:00 me orën lokale, 22:00 me orën e Shqipërisë, raporton BBC.

Më shumë se 250 zjarrfikës dhe shpëtimtarë u angazhuan për të kërkuar të mbijetuar nën rrënoja, ndërsa pamjet nga ajri treguan një person të mbuluar me pluhur që nxirrej mbi barelë. Komisionerja e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut, Lillian Bonsignore, e quajti operacionin “jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe tha se nën rrënoja kishin mbetur njerëz si nga ndërtesa, ashtu edhe nga kantieri.
Autoritetet ende nuk e kanë përcaktuar shkakun e shembjes së ndërtesës në Flatbush Avenue, e cila sipas të dhënave të qytetit, të cituara nga CBS News, është ndërtuar në vitin 1930. Kryebashkiaku Zohran Mamdani shkoi në vendngjarje dhe lavdëroi shpëtimtarët, të cilët sipas tij mbërritën “për më pak se një minutë”. Për ngjarje të tjera nga Shtetet e Bashkuara ndiqni rubrikën Amerika.
















