Sulmet ruse ndaj rrjetit elektrik e kanë çuar furnizimin me energji në Ukrainë pranë pikës kritike, ndërsa miliona njerëz përballen me errësirë dhe të ftohtë në prag të dimrit. Në Kiev, qyteti më i goditur, disa familje mbeten deri në 20 orë në ditë pa drita, raporton BBC.

Ndërprerjet e planifikuara të energjisë janë në fuqi që nga tetori, më herët se dimrin e kaluar, dhe po zgjasin gjithnjë e më shumë. Zyrtarët shqetësohen se jeta do të bëhet e papërballueshme për miliona ukrainas nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë. Pa energji nuk punojnë as ashensorët, as pompat e ujit, ndaj banorët e kateve të larta mbeten edhe pa ujë.
Që nga gushti, sulmet ndaj objekteve energjetike janë pothuajse të përditshme dhe marrin jetën e disa punëtorëve çdo javë, ndërsa Ukraina është kundërpërgjigjur duke goditur rafineritë ruse të naftës. Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se vendi ka ende kapacitet të mjaftueshëm prodhues, por problemi është shpërndarja, pasi shumë linja dhe nënstacione janë goditur. Ndërkohë, siç e kemi raportuar, bisedimet për paqe nuk kanë sjellë ende marrëveshje, ndaj më shumë lexoni te etiketa Ukraina.
















