Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe njerëzit që e shoqëronin u qortuan të mërkurën nga një rojtar ushtarak te Varri i Ushtarit të Panjohur, në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Sipas pamjeve nga ceremonia e Ditës së Veteranëve, Hegseth, bashkëshortja e tij dhe këshilltarët qeshnin dhe bisedonin ndërsa pozonin për fotografi, raporton BBC.

Ushtari në detyrë iu afrua grupit dhe thirri me zë të lartë: “Të gjithë vizitorët duhet të ruajnë në çdo kohë një atmosferë heshtjeje dhe respekti.” Rregullat e varrezave kërkojnë që vizitorët të flasin me zë të ulët, ndërsa varri, ku prehet një ushtar i panjohur i rënë në Luftën e Parë Botërore, ruhet 24 orë në ditë që nga viti 1948. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ushtari “në mënyrë korrekte dhe me respekt u kujtoi të gjithëve të ruanin rendin”.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë kur presidenti Donald Trump e lavdëroi publikisht Hegsethin gjatë ceremonisë, duke thënë se ai po bën “një punë fantastike”. Një ditë më parë, në Kongres dështoi përpjekja e demokratëve për ta shkarkuar sekretarin e Mbrojtjes me akuzën se nisi luftën me Iranin pa autorizim, siç e kemi raportuar më herët.
















