Prokuroria e Milanos kërkoi të martën arkivimin e hetimit për arkitektin italian Stefano Boeri, kryebashkiakun Giuseppe Sala dhe drejtuesin e Coima-s, Manfredi Catella, në hetimin e madh për urbanistikën e qytetit. Boeri njihet në Shqipëri për planin urbanistik “Tirana 030” dhe për afërsinë me kryeministrin Edi Rama, ndërsa vendimi përfundimtar i takon gjyqtarit të hetimeve paraprake në muajt e ardhshëm, sipas ANSA-s.

Hetimi për korrupsion, nxitje të padrejtë dhe falsifikim kishte çuar në verën e vitit 2025 në disa arrestime, të cilat më pas u rrëzuan nga Tribunali i Rishqyrtimit dhe Gjykata e Kasacionit. Në qendër të një prej dosjeve ishte projekti “Pirellino”, ku hetuesit dyshonin se Boeri dhe Catella kishin ushtruar presion, përmes kontakteve me Salën dhe ish-asesorin Giancarlo Tancredi, për të marrë miratimin e Komisionit të Peizazhit. Sipas dokumenteve të cituara nga il Giornale, prokurorët pranojnë se konfliktet e interesit tregojnë “anomali të rëndësishme”, por thonë se ato nuk mjaftojnë për të provuar akuzën.
Çështjet e Boerit me drejtësinë italiane nuk kanë përfunduar, pasi ai mbetet ndër të pandehurit në një gjyq tjetër për projektin Bosconavigli, që lidhet me shkelje urbanistike. Projektet e tij në Tiranë dhe modeli i zhvillimit urban i promovuar nga qeveria Rama kanë qenë vazhdimisht në qendër të debatit për betonizimin e kryeqytetit. Kjo temë u ngrit këtë javë edhe në Parlamentin Evropian, ku u vu në dyshim burimi i parave të investuara në kullat e Tiranës.













