Një video virale, e shpërndarë nga një llogari e paverifikuar parodi, pretendon se Pentagoni dhe FBI u kanë bërë thirrje qytetarëve amerikanë dhe kombeve të tjera të bëjnë stok ushqimesh dhe të përgatiten për një katastrofë globale. Kjo nuk është e vërtetë: as Pentagoni, as FBI nuk kanë lëshuar një thirrje të tillë.

E vërteta është tjetër. Plani FORTRESS i Pentagonit synon që bazat ushtarake në SHBA të vazhdojnë punën të paktën 90 ditë nëse dështon infrastruktura civile, me mikro-rrjete, bateri dhe reaktorë bërthamorë të lëvizshëm. Zëdhënësi Sean Parnell ka shpjeguar se mbrojtja kombëtare nuk mund të mbështetet te rrjetet civile. Ish-zv.drejtori i FBI-së, Dan Bongino, në podcastin e tij, u këshilloi familjeve të mbajnë të paktën tre ditë ushqim, ujë, një radio dhe bateri, me fjalët «Fortress my house». Kjo është këshillë personale e tij, jo një urdhër i FBI-së.
FEMA dhe Ready.gov rekomandojnë një komplet bazë për disa ditë, zakonisht të paktën tre. Këshilla të ngjashme kanë dhënë edhe Britania, Japonia, Suedia, Gjermania e vende të tjera. Postimet virale që pretendojnë një «alarm emergjence» për të qëndruar në shtëpi më 15 nëntor janë të rreme: asnjë qeveri apo agjenci emergjencash nuk ka lëshuar një njoftim të tillë. I vetmi event i planifikuar është testi kombëtar amerikan i Sistemit të Alarmit të Emergjencës, të martën, 17 nëntor, nga ora 14:20 deri në 14:50 sipas orës lindore të SHBA-së, pra 20:20–20:50 në Shqipëri. Mesazhi thotë «This is only a test» dhe nuk kërkon asnjë veprim. Lexo edhe: Ndërprerja e Microsoft, ndalimi i fluturimeve dhe testi i alarmit. A i keni parë këto postime?
















