Të shtunën, 14 nëntor, kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, u takua në Bursa me kryetarin në detyrë të Bashkisë Metropolitane të Bursës, Shahin Biba, me prejardhje nga Prizreni. Takimi, pjesë e një vizite zyrtare në Turqi, u përqendrua te ruajtja dhe revitalizimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit, duke u mbështetur te përvoja e Bursës.

Në takimet e kësaj vizite mori pjesë edhe urbanisti Bajram Vardar, me prejardhje nga Shkupi. Vardar, ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm i Bashkisë Metropolitane të Bursës, ka drejtuar ekipin e ekspertëve që hartoi Master Planin e Çairit, ku përfshihet edhe revitalizimi i Çarshisë së Vjetër.
Para Bursës, Mexhiti dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, zhvilluan takime në Ankara me zëvendësministrin turk të Kulturës dhe Turizmit, Nadir Alparslan, dhe me ish-kryetarin e Bursës, Recep Altepe, sot nënkryetar për pushtetin lokal në selinë qendrore të AK Partisë. Palët diskutuan bashkëpunimin institucional për restaurimin e Çarshisë dhe ngritjen e një bordi këshilldhënës, ku pritet të përfshihen ndër të tjerë Biba, Altepe dhe Vardar.

Në takime morën pjesë, ndër të tjerë, Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetar i VLEN-it; Sedat Sulejmani, ministër i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut; Bajram Vardar, urbanist dhe ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm i Bashkisë Metropolitane të Bursës; Naser Ademi, ish-kryetar i Entit Shtetëror të Revizionit; Shahin Biba, kryetar në detyrë i Bashkisë Metropolitane të Bursës; Recep Altepe, ish-kryetar i Bursës dhe nënkryetar për pushtetin lokal në selinë qendrore të AK Partisë; Nadir Alparslan, zëvendësministër i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë; dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
















