E shtunë, 2 Gusht, 2025
Weather Data Source: Tirana weather 30 days
Fakte

Qeni Chihuahua me Dy Këmbë Shpëton Jetën e Pronarit duke Parashikuar Atak në Zemër

Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në Georgia të Shteteve të Bashkuara, ku qeni Chihuahua me dy këmbë, i quajtur Champ, arriti të shpëtojë jetën e pronarit të tij duke parashikuar një atak kardiak – përpara se ai të ndjente ndonjë simptomë.

63-vjeçari Andrew Kuzyk rrëfen se sjellja e pazakontë e Champ – i cili iu ngjit në kraharor dhe nisi të qante në mënyrë të pazakontë – bëri që ai të merrte seriozisht një ndjesi ngërçi në gjoks, të cilën ndoshta do ta kishte neglizhuar. Reagimi i menjëhershëm i bashkëshortes së tij, Pamela, që thirri ndihmën e shpejtë, rezultoi vendimtar.

Qeni Chihuahua

Kuzyk iu nënshtrua një operacioni urgjent në një spital rreth 50 kilometra larg, në Atlanta. Zemra e tij ndaloi së rrahuri dy herë gjatë ndërhyrjes, por ai ia doli të mbijetonte dhe tashmë po shërohet në mënyrë të qëndrueshme.

“Po shikoja televizor kur Champ u ngjit mbi mua,” rrëfen Kuzyk për agjencinë SWNS. “M’u afrua te gjoksi, aty ku ndodhet zemra, dhe nxori një zë të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Pak minuta më pas, filluan dhimbjet.”

Qeni Chihuahua hero

Champ, i cili ka lindur pa dy këmbë, është një nga gjashtë qen të shpëtuar që jetojnë me Andrew dhe bashkëshorten e tij në një shtëpi të vogël lëvizëse. Në të kaluarën, Kuzyk kishte përjetuar një atak të lehtë në zemër, prandaj e njohu menjëherë rrezikun.

Pasi Champ nuk ndalonte së vajtuari, Pamela thirri ambulancën. Në spital, mjekët zbuluan një bllokim të madh në zemrën e Kuzyk. “Mjeku më tregoi një formacion të madh që bllokonte arterien. Më tha se në gjithë karrierën e tij nuk kishte parë diçka të tillë,” rrëfen ai.

Por kjo nuk është hera e parë që Champ e ka paralajmëruar për një problem shëndetësor. I njëjti qen ka vepruar në mënyrë të ngjashme pak përpara se Kuzyk të diagnostikohej me tumor në tru – një nga disa llojet e kancerit me të cilat ai po përballet.

“Jam i sigurt se pa Champ nuk do të isha më gjallë,” thotë Kuzyk me bindje. Ai shton se gjithmonë ka pasur një lidhje të veçantë me qentë e braktisur, sidomos me Chihuahuat. “Shumica e qenve të mi kanë nevoja të veçanta. Njëri është i verbër. Por për mua janë një bekim i vërtetë.”

Si besimtar i devotshëm, Kuzyk e sheh ndërhyrjen e Champ si pjesë e një plani hyjnor. “Ndoshta Zoti ka një arsye pse ende duhet të jem në këtë botë,” thotë ai. “Krahas bashkëshortes dhe besimit tim, Champ është shtylla ime e tretë.”

“E dua me gjithë zemër. Është thjesht i jashtëzakonshëm. Kushdo që e sheh, bie menjëherë në dashuri me të.”

Reagimi juaj?

Postime të ngjashme