Kryeministri Albin Kurti tha se udhëheqja e re e Serbisë duhet ta pranojë “realitetin e shekullit XXI”, se Kosova është shtet i pavarur i njohur nga mbi 120 vende. Ai foli të hënën para studentëve të Paris School of International Affairs (PSIA), sipas Euronews Albania, që citon Zyrën e Kryeministrit.

Kurti kërkoi që normalizimi i marrëdhënieve të përfshijë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e quajti arkitektin kryesor të sulmit ku u vra togeri Afrim Bunjaku. Pas afro 15 vjetësh në pushtet, Aleksandar Vuçiqi humbi zgjedhjet nga Lista Studentore, por kjo e fundit ende nuk ka dhënë sinjale për ndryshim qëndrimi ndaj Kosovës, ndërsa prokuroritë serbe kanë nisur hetime ndaj ish-zyrtarëve.
Kryeministri iu drejtua edhe pesë shteteve të BE-së dhe katër të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën, duke thënë se represioni dhe spastrimi etnik që përjetoi populli i saj nuk mund të barazohen me lëvizjet separatiste. Ai paralajmëroi se urgjenca e re e zgjerimit të BE-së nuk duhet të krijojë një Evropë me vende të mirëpritura dhe të tjera të lëna në pritje. Më shumë nga Kosova gjeni në rubrikën tonë.
















