Partia Demokratike pretendon se 950 mijë euro nga fondet publike të lidhura me aferën e AKSHI-t janë nisur drejt dy kompanive në Gjermani që lidhen me vëllezërit e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni. Akuzën e ngriti të mërkurën nga selia e PD-së deputeti Klevis Balliu, raporton BalkanWeb.

Sipas Balliut, 500 mijë euro u transferuan në dy këste te një kompani ku punon njëri prej vëllezërve, ndërsa 450 mijë euro të tjera u nisën drejt një firme të përfaqësuar nga vëllai tjetër, por transferta u anulua. Ai pretendon se gjurma e parave nis nga tenderat e AKSHI-t, kalon përmes kompanive të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi dhe përfundon në Gjermani. “Kjo nuk është thjesht një aferë korrupsioni, kjo është dëshmi e rënies së shtetit”, deklaroi Balliu.
Deputeti demokrat kritikoi edhe faktin që Hyseni ndodhet në arrest shtëpie dhe jo në burg, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se për vite me radhë i ka mohuar dhe relativizuar denoncimet e opozitës. Akuzat vijnë në të njëjtën ditë kur deputetja socialiste Sara Mila u paraqit në SPAK, ndërsa protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e 165-të.
















