Punëtorët e KEK-ut, Korporatës Energjetike të Kosovës, do të protestojnë të enjten, më 12 nëntor, në orën 11:00, para zyrave të menaxhmentit dhe të Bordit Drejtues. Thirrjen e bëri Sindikata e Re e KEK-ut (SRKEK), pasi sipas saj menaxhmenti dhe bordi nuk iu përgjigjën pozitivisht kërkesave të mëparshme të punëtorëve, raporton Sinjali.

Në komunikatën e nënshkruar nga kryetari i sindikatës, Xhelal Jashari, kërkohen pagë e dinjitetshme për të gjithë punonjësit, ekzekutimi i pagës së 13-të dhe kushte më të mira pune. Sindikata thotë se punëtorët në miniera dhe termocentrale përballen çdo ditë me pluhur, temperatura ekstreme dhe rrezik të lartë, pa marrë shpërblimin që meritojnë. Në protestë janë ftuar punonjësit e DPQ-së, të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, si dhe të Sigurisë Fizike.
“Nuk kërkojmë lëmoshë e as privilegje, por dinjitetin që na takon për punën që bëjmë”, thuhet në thirrjen e sindikatës. Punëtorët theksojnë se nuk dalin në rrugë për inat të askujt, por për veten dhe familjet e tyre. Zhvillimet e tjera nga ekonomia dhe jeta në Kosovë mund t’i ndiqni te rubrika Kosovë.
















