Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar përmbytjet në Theth, ku banorët përballen me probleme që nga mbrëmja e së enjtes, raporton BalkanWeb. Më e prekur është Fushë-Thethi, ku prurjet e ujit dolën nga kanalet dhe u përhapën pranë banesave, duke krijuar rrezik për to. Raportohen edhe dëme në bagëti në banesën e Dedë Drenit, ndërsa zona mbetet edhe pa energji elektrike.

Moti i keq ka lënë pa energji elektrike një numër të madh njësish administrative dhe lagjesh në Kukës, Has dhe Tropojë, shkruan Pamfleti. Në Kukës janë prekur njësitë Zapod, Shishtavec, Topojan, Malzi, Kolsh, Surroj dhe Tërthore, si dhe lagjet 1, 2 dhe 3 të qytetit, ndërsa në Has pa drita kanë mbetur qyteti i Krumës, Fajza, Kishaj, Pogaj, Gjinaj dhe Golaj. Në Tropojë, ndërprerjet raportohen në Dragobi, Çerem, Dunishë, Margegaj, Tropojë dhe Fierzë.
Përveç ndërprerjeve të energjisë, moti i keq ka shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore. Banorët e Thethit shprehen të shqetësuar se situata mund të përkeqësohet. Vështirësitë e motit vijnë në një javë kur familjet po përballen edhe me shtrenjtimin e naftës.
















