Paketa Fiskale 2027 e qeverisë Rama u përball të enjten, më 12 nëntor, me kundërshtimet e bizneseve në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Përfaqësues të dhomave të tregtisë, industrisë, eksportuesve, turizmit, transportit dhe profesionistëve të lirë kërkuan rishikimin e masave dhe shtyrjen e zbatimit të tyre, raporton Pamfleti. Ndryshimet parashikohen të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.

Në qendër të debatit janë rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% dhe ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë. Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, paralajmëroi se sektori fason, që sot humbet mesatarisht 25 vende pune në ditë, mund të arrijë në 50 pas ndryshimeve. Arben Shkodra, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, foli për përshpejtim të deindustrializimit, në një kohë kur prodhimi vendas është në rënie prej tre vitesh.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse miratohen dispozitat për dividendin dhe TVSH-në, të cilat sipas saj kanë efekt prapaveprues. Dhoma Britanike e Tregtisë propozoi një zbatim gradual prej tre deri në pesë vjetësh, ndërsa transporti publik paralajmëroi shtrenjtimin e biletave. Ndërkohë, karburantet vijojnë të shtrenjtohen, me naftën në 210 lekë litri.
















