Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kallëzuar penalisht drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, për shpërdorim detyre, pas transferimit të tij nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit. Kallëzimi u depozitua në Prokurorinë e Tiranës nga avokati i tij, Plarent Ndreca, shkruan BalkanWeb. Veliaj pretendon se transferimi u krye në shkelje të ligjit dhe kërkon hetimin e përgjegjësisë së drejtueses së sistemit penitenciar.
Kallëzimi vjen një ditë pas denoncimeve që Ndreca bëri nga burgu i Fierit, ku u takua me kryebashkiakun, raporton Pamfleti. “Ky është një persekutim shëndetësor”, deklaroi avokati, duke shtuar se mbrojtja nuk ka arritur të sigurojë dokumentacionin mjekësor, ndërsa Veliaj qëndron në spitalin e burgut, në izolim dhe pa mundësi komunikimi. Pas transferimit në Fier, Veliaj pretendoi se u kërcënua në emër të Edi Ramës dhe kërkoi komision hetimor.

Në të njëjtën ditë, Bodo zhvilloi një vizitë pikërisht në burgun e Fierit, ku ndodhet Veliaj, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e paraqiti institucionin si model të zhvillimit të sistemit penitenciar. Gjatë vizitës u testuan edhe kushtet teknike për seanca gjyqësore online me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nga paraburgimi, Veliaj ka kërkuar edhe një vend në Asamblenë e PS-së.
















